“Ministrat kanë arritur një marrëveshje politike për reduktimin e kërkesës për gaz për dimrin e ardhshëm”. Kjo është bërë e ditur në një postim në Twitter nga presidenca çeke e BE-së pas mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Energjisë.

“Njoftimi i Gazprom-it” se prurjet e gazit në Gjermani përmes gazsjellësit Nord Stream 1 do të reduktohen me 20% të tjera, nënvizon edhe një herë se ne duhet të jemi gati për një shkurtim të mundshëm të furnizimeve nga Rusia”, tha komisionerja e BE-së për Energjinë Kadri Simson.

Plani u miratua, me kundërshtimin e vetëm të Hungarisë, me disa ndryshime të rëndësishme në krahasim me tekstin origjinal, ku ka një referencë për çmimin tavan.

Projekt-plani u zbulua javën e kaluar nga Komisioni Evropian në përgjigje të manipulimit të vazhdueshëm të Rusisë me rrjedhat e gazit në hakmarrje për sanksionet perëndimore të vendosura për pushtimin e Ukrainës. Furnizimet e pakësuara të gazit rus po ngjallin frikën e një recesioni të afërt dhe një krize dimërore.

Ndërkaq ministri italian i tranzicionit ekologjik, Roberto Cingolani, duke folur për gazin në seancën publike të Këshillit për Çështje Energjetike deklaroi se “brenda vitit të ardhshëm situata do të jetë mjaft e sigurt, pa varësi të mëdha nga Moska. Në të vërtetë, pa asnjë varësi nga Rusia”.