Kryeministri Edi Rama njoftoi pas mbledhjes së qeverisë se do të ketë rritje page për disa kategori.

“Policia e Shtetit, në nivelet bazë, të gjithë punonjësit e policisë në nivel inspektorësh dhe niveli i mesëm, të kenë një shtesë page. 15% rritje do të ketë niveli bazë, 7% niveli i mesëm”, tha Rama.

“E njëjta gjë vlen për Gardën e Republikës, Policinë e Burgjeve, zjarrfikësit, administratën publike. Të gjitha këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë”, shtoi kryeministri.

Më tej, Rama nënvizoi se “principi mbetet po ai i ditës së parë: kush ka më pak, mbështetet më shumë”.

“E njëjta gjë do të ndodhë me pensionet, që janë riindeksuar dhe kemi rritje prej 9,5% në raport me pensionin e një viti më parë. E njëjta gjë me familjet me ndihmë ekonomike, që kanë një rritje prej 10%. Po ashtu, për të gjithë të moshuarit mbi 65 vjeç, që janë me ndihmë ekonomike, bëhet dyfishim i ndihmës. Patjetër edhe indeksimi për personat me aftësi të kufizuar”, tha Rama.