Nëpër rrugët e Shqipërisë kanë qarkulluar gjatë vitit 2021, rreth 741 mijë mjete, apo gati 64 mijë më shumë se një vit më parë.

Duke e parë shpesh si të vetmen mundësi transporti, as çmimet e larta të karburanteve dhe kriza ekonomike nuk e kanë frenuar blerjen e makinave. Një tendencë që vijon edhe gjatë këtij viti, me 37 mijë e 500 vetura të regjistruara vetëm gjatë periudhës janar-shtator, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

“Mercedez Benz” mbetet marka më e përdorur e autoveturave në Shqipëri duke dominuar 18,2% të tregut. Më pas, ndiqet nga “Volkswagen” me 17,5 %. Kjo e fundit, duke u konsideruar më ekonomike, përbën numrin më të lartë të automjeteve të regjistruara gjatë 2022.

3 në 4 autovetura që përdorin naftën si lëndë djegëse, por gjatë vitit 2021, makinat e benzinës me impiant gazi janë shtuar me mbi 20%, pasi konsiderohen shumë më ekonomike. Krahas largimit nga markat e luksit, motorëve me cilindratë të lartë, apo orientimit drejt karburantit më të lirë, shqiptarët po kursejnë edhe në përdorimin e përditshëm.

Sipas të dhënave të doganave, këtë vit konsumi i karburanteve është ulur me rreth 16%, që do të thotë se drejtuesit e mjeteve kanë shmangur lëvizjet e panevojshme apo destinacionet më të largëta.