Burime policore konfirmojnë zhvillime të reja për vrasjen e 26 vjeçarit Martin Çeço në Kolanec, në 18 qershor të këtij viti, ku është arrestuar dhe vajza për të cilën dyshohet se nisi konflikti mes autorit dhe viktimës.

Bëhet fjalë për Martina Pajollarin, e dyshuar si bashkëpunëtore në vrasjen e Martinit. Policia ka arritur të sigurojë provat e mjaftueshme që vërtetojnë se kjo shtetase ka bashkëpunuar me 3 autorët e arrestuar më herët, Bleti Angjo, Valter dhe Edlir Mollaj që aktualisht ndodhen në burgun e Drenovës.

Martina Pajollari dyshohet se ka qenë vajza e lidhur me viktimën, por edhe në një lidhje të dyfishtë me Valter Mollajn, i cili sipas prokurorisë është një nga autorët kryesorë të vrasjes.

Tre autorët në bashkëpunim me njëri tjetrin e kanë dhunuar e më pas hedhur trupin e pajetë në rezervuarin e Kolanecit në Maliq, trup i cili u gjet nga banorët e zonës disa ditë pasi familja e viktimës e denoncoi të humbur.

Lidhur me arrestimin e Martina Pajollarit pritet komunikata zyrtare e policisë së Korçës për të hedhur kështu më shumë dritë rreth përfshirjes së saj në këtë vrasje. /a2