Nis hetimi disiplinor për mësuesin e gjuhës angleze në shkollën 9-vjeçare “Dritëro Agolli” në Bilisht, Alban Fetolli.

Komisioni i disiplinës dhe etikës së shkollës ka nisur hetimin pasi prindërit e disa nxënësve të klasës së tetë janë ankuar pranë drejtorisë së shkollës për dhunën e ushtruar ndaj tyre nga mësuesi.

Njëri prej fëmijëve, pohoi për mediat se disa ditë më parë gjatë orës së mësimit, mësuesi i ka goditur me bidon me ujë. Sipas tij, janë dhunuar 4 nxënës mes tyre dhe një vajzë.

Në komunikim telefonik me drejtoren e DAR, Vinjola Rota, sqarohet se ngjarja po vlerësohet si nga komisioni i etikës së shkollës, po ashtu edhe nga drejtoria rajonale arsimore.

“Menjëherë pas ngjarjes është ngritur një komision etike dhe një pyetësor psikosocial. Në këto momente që po merren masa, mësuesi nuk jep mësim pasi është në komision etike. Deri në momentin që do të dalë vendimi i komisionit etik, nuk mund të merren masa të tjera, siç mund të jetë pezullimi”, tha Rota.