Që nga fillimi i pushtimit rus, Mbretëria e Bashkuar është një nga vendet që ka dhënë më shumë ndihma humanitare dhe ushtarake për Ukrainën.

Për këtë arsye, Kremlini akuzoi Londrën për kryerjen dhe koordinimin e sulmit me dron në bazën e Flotës së Detit të Zi në Sevastopol. Një ngjarje që detyroi Rusinë të thërriste ambasadoren britanike në Moskë, Deborah Bronnert, për të bërë një deklaratë për atë që ndodhi. Në fakt, Rusia vuri në dukje se instruktorët ushtarakë britanikë trajnuan Forcat e Armatosura të Ukrainës në komandimin e dronëve detarë, në mënyrë që ata të mund të kryenin një sulm të tillë.

Rusia do të marrë masa kundër Britanisë së Madhe pas asaj që ndodhi në Sevastopol. Moska tashmë ka paralajmëruar Evropën se do të ndërmarrë veprime kundër Mbretërisë së Bashkuar, pasi ata konsiderojnë se vendi i udhëhequr nga Sunak qëndron pas shpërthimeve të Sevastopolit.

“Veprime të tilla nuk mund të mbeten pa përgjigje. Sigurisht, ne do të vlerësojmë hapat që duhet të ndërmarrim. Nuk ka dyshim për këtë. Është e pamundur të veprohet ndryshe”, tha zëdhënësi presidencial Dimitry Peskov.

Pas asaj që ka ndodhur ditët e fundit, Rusia i ka shpallur “luftë hibride” Mbretërisë së Bashkuar. Të paktën kështu tha CEO i kompanisë së kundërzbulimit BlackOps Partners, Casey Fleming: “Jemi në Luftën e Tretë Botërore. Quhet “luftë hibride”. Ne nuk jemi të vetëdijshëm për të, nuk e kuptojmë, por po arrin kulmin”.

Lufta hibride i referohet metodave moderne dhe jokonvencionale të zhvillimit të luftës në fusha të ndryshme si politika apo ekonomia, madje edhe në hapësirën kibernetike. Nga ana tjetër, sipas NATO-s, lufta hibride përfshin akte terrorizmi, migrimi, korrupsioni politik dhe propagandë përçarëse për të gjeneruar armiqësi midis popullsisë së një vendi. Po kështu, përfshin edhe fushata dezinformimi dhe manipulimi të informacionit nga një vend për të justifikuar veprimet e tij.

Pavarësisht kësaj, ishte Kremlini ai që akuzoi vendet perëndimore për nisjen e një “lufte hibride totale” kundër Rusisë. Një fakt që ndodhi për shkak të sanksioneve ekonomike që Rusia mori si nga Uashingtoni, ashtu edhe nga Brukseli.