Policia e Shtetit dhe Shërbimet e Policisë Rrugore, ato të Rendit dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë kanë rritur gatishmërinë si pasojë e motit të keq që ka përfshirë pjesën më të madhe të vendit duke shkaktuar problematika në shumë akse.

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në të gjitha qarqet janë ngritur dhe funksionojnë grupet e drejtimit të cilat janë vendosur në disa pikat më problematike.

Po ashtu inspektorët e Policisë ndodhen në zonat e tyre dhe janë në kontakt me administratorët e njësive administrative dhe me kryepleqtë e fshatrave, për t’iu ardhur në ndihmë në rast nevoje.

Nisur nga moti i keq me reshje shiu të dendura, që ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve, Policia Rrugore ka rritur prezencën në rrugë dhe monitorimet me mjetet inteligjente, në të gjithë vendin.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë me rigorozitet sinjalistikën rrugore dhe të moderojnë shpejtësinë.