Reshjet e dendura të shiut kanë qenë mbi projeksionet më ekstreme të institucioneve, duke vështirësuar edhe menaxhimin e kaskadës.

KESH është akuzuar nga Partia Demokratike se ka vendosur të importojë energji, duke e ditur se do të kishte prurje dhe duke shpërdoruar miliona euro. Opozita i referohet tenderit për periudhën 14-20 Nëntor, ku u shpenzuan 9.7 milionë euro.

Por për kryeministrin Rama, ky është një dezinformim.

E vërteta është se KESH ka vendosur të importojë energji elektrike sipas procedurës së datës 11 Nëntor, sepse nga të gjitha parashikimet e motit, situata e reshjeve pritej të intensifikohej vetëm në mesditën e datës 20 Nëntor dhe nëse nuk do të ishte importuar, rezerva energjetike do të ishte në minimalen historike, duke rrezikuar vetë furnizimin normal me energji.

Disa ditë përpara reshjeve intensive, KESH shpalli dy procedura për të optimizuar energjinë elektrike. E para duke tentuar një procedura shkëmbimi, që energjia e datave nga 19 Nëntor deri më 24 Nëntor, të shitej dhe t’i rikthehej kompanisë në qershor 2023. Kompania nuk publikoi rezultatet e kësaj thirrjeje.

Ndërsa procedura e dytë kishte të bënte me optimizimin, pra shitje për datat 19 deri më 22 Nëntor dhe blerje për datat 26 Nëntor deri më 4 Dhjetor 2022. Nga kjo kërkesë optimizimi, KESH arriti të shesë 16,200 megavatorë, për një shumë prej 3.3 milionë eurosh.

Së fundmi, mëngjesin e së hënës, KESH hapi një procedurë për shitjen e mbiprodhimit. Por arriti të shesë vetëm 8,040 megavatorë, për një total prej 662 mijë eurosh, për një çmime mesatar prej 82 eurosh për njësi, një skonto e ndjeshme krahasuar me nivelet e bursës.