Edhe pse deri në finalen e Kupës së Botës duhen edhe dy javë të tjera, një nga stadiumet e përdorura për të pritur shtatë ndeshje gjatë turneut tashmë, ka nisur të demontohet.

Stadiumi 974, i vendosur pranë Portit të Doha-s, është ndërtuar kryesisht nga kontejnerë transporti të ripërdorur dhe mund të çmontohet plotësisht dhe të bashkohet përsëri njëlloj si Legot.

Stadiumi unik me 40.000 vende përbëhet nga një kornizë çeliku modulare dhe 974 kontejnerë transporti, prandaj edhe quhet Stadiumi 974.

Portugalia, Franca, Brazili dhe Argjentina luajtën të gjitha në këtë arenë, ndërsa ndeshja e fundit që u luajt ishte ajo mes Brazilit dhe Koresë së Jugut.

Tani stadiumi do të çmontohet plotësisht dhe do të zhvendoset diku tjetër ose do të rimodelohet në një seri ambientesh më të vogla.

“Projektimi për çmontim është një nga parimet kryesore të ndërtimit ekologjik”, tha eksperti i qëndrueshmërisë urbane dhe klimës, Karim Elgendy.

Stadiumi tani mund të dërgohet në vende të tjera që kanë nevojë për infrastrukturë, teksa nuk kanë munguar raportimet se mund të dërgohet në Maldonado, Uruguai.