Sipas statistikave, që gjithsesi janë gjithmonë të pjesshme, prodhimi i kokainës ka arritur sasinë e 1700 tonëve në vit, shifër në rritje të vazhdueshme,  për një vlerë që tejkalon 100 miliardë dollarët në vit.

Përllogaritet që nga kjo shumë marramendëse, as 10% shpërndahet komuniteteve ku prodhohet, kryesisht në Kolumbi që përfaqëson e vetme rreth 60% të prodhimit, me Perunë (26%) dhe Bolivinë (12,5%) që po rriten çdo vit, bashkë edhe me vende të tjera që kanë zhvilluar plantacione vitet e fundit,  si Ekuadori dhe Guatemala.  

Por përtej shifrave të ftohta, janë shembujt në terren që japin dimensionin e plotë të një trafiku ilegal që po shndërrohet në një industri ndërkombëtarë me hallka kudo në botë, dhe me fitime aq të mëdha sa edhe humbjet që ndodhin për shkaqe të ndryshme ose për sekuestro të forcave policore, nuk i prishin gjumin bosave të narkotrafikut.

Ky fakt del edhe nga rrëfimi i ditëve të fundit të Raffaele Imperiale, një nga bosët e Kamorrës napoletane që i dedikohej pikërisht këtij aktiviteti fitimprurës, tashmë i arrestuar dhe që ka zgjedhur rrugën e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Detajet e Imperiales janë interesante, për të kuptuar mekanizmat. Ai i referohet një ngjarje të ndodhur në periudhën nëntor 2020- janar 2021, kur bota ishte ende e bllokuar nga frika e pandemisë.

Një ngarkesë prej 600 kilogramë, të ndara në 600 pako që nga Rotterdami, një hub i rëndësishëm i këtij trafiku, që do të shkonte në anën tjetër të botës, pasi ishte porosia e një ”klienti” nga Australia.

Rreth 400 kilogramë vinin direkt nga Amerika Latine, 200 nga “depozitat” e vetë bosit italian. Kosto i një kilogrami shitet me 33 mijë euro, plus 2 mijë euro për kilogramë për ta transportuar në kontinentin tjetër. Këtu fillon një mekanizëm pothuajse perfekt, ku kalimi i parave duhet të ndodhte me metodën e njohur si Hawala, që zakonisht përdoret për transferimin e remitancave të emigrantëve në vendin e origjinës.

Në rastin konkret, një person merrte paratë e drogës nga porositësit në Australi, ndërkohë që një tjetër paguante italianët në vendin e tyre, pa patur nevojë për transferimin fizik të shumës.

Pagesa duhet të ndodhte pas mbërritjes në port të drogës, e cila nuk u shfaq kurrë në Australi. Pala porositëse foli për një operacion policie, për të cilin nuk ka asnjë lajm zyrtar.

Por ky nuk ishte problem i madh për bosin Imperiale. “Nuk më dëshpëronte sekuestro, shpresoja vetëm që mos ta kishin vjedhur”, deklaroi ai, për të cilin humbja e rreth 24 milionë eurove ishte vetëm një grimcë në totalin e tregtisë së pluhurit të bardhë.