Gjykata e Posaçme dënon me 8 vjet e 8 muaj burg Gentian Malindin. Ai u fajësua për “trafik të narkotikëve” dhe “grup të strukturuar kriminal”, për trafikimin e  137 kg kokainë nga Ekuadori, që u zëvendësua me oriz në Portin e Pireut.

Prokuroria e Posaçme përfundoi në nëntor 2020 hetimet për biznesmenin Gentian Malindi, të dyshuar për trafikimin e një sasie prej 137 kg kokaine nga Ekuadori. Sasia e drogës u bllokua në Portin e Pireut, Greqi dhe u zëvendësua me oriz dhe më pas u lejua të vinte në Portin e Durrësit.

Më 19 shtator 2019, në Portin e Durrësit u kapën 4 kontejnerë të nisur nga Ekuadori ku ishte fshehur 137 kilogramë kokainë. Autoritetet amerikane dhe policia greke zbuluan ngarkesën në Portin e Pireut dhe para mbërritjes së saj në Shqipëri zëvendësuan kokainën duke mbushur pakot me oriz.

Në arrest përfunduan punonjësit e portit, Ardian Bega dhe Altin Myslihaka. Prokurorët thanë se kanë nisur letërporosi në Greqi për të marrë informacion mbi çdo lëvizje dhe të dhënë të rrjetit të trafikut.