Gjykata e Tiranës caktoi masën e arrestit me burg për 18-vjeçarin Ensi Maze i akuzuar si bashkëpunëtor i shokut të tij Axel Hoxhaj në vrasjen me thikë të Stiven Toshkësit mbrëmjen e 19 prillit.

 I riu në dëshminë e tij para trupit gjykues ka deklaruar se ishte vetëdorëzuar dhe kishte dhënë detaje për praninë e tij në vendin e ngjarjes ku pretendon se është gjendur rastësisht. Maze ka mohuar të ketë pasur dijeni mbi konfliktin e Stiven Toshkësit dhe Axel Hoxhajt dhe sherrin e tyre për një vajzë, duke deklaruar se sapo ishte kthyer nga Holanda ku studionte për menaxhim biznesi dhe kishte vendosur të takonte shokët e shkollës.

Nga ana tjetër avokati Tonin Prendi u shpreh se klienti i tij Maze është përpjekur të shuajë konfliktin duke mbajtur mbyllur derën e makinës ku ndodhej viktima Stiven Toshkësi dhe shoku i tij pasagjer. Ky i fundit Joan Ndriu ka sulmuar fizikisht Ensi Mazen dhe 18-vjeçari nuk i është kundërpërgjigjur.

Nga ana tjetër, autori i ngjarjes së rëndë, Axel Hoxhaj u vetëdorëzua në polici. Mësohet se deri tani i është marrë dëshmia e parë mbi ngjarjen e ndodhur, ndërsa pritet të dalë në masë sigurimi.