Mes duartrokitjeve dhe vuvuzelave, kryeministri Edi Rama zgjodhi Parkun Olimpik për të mbyllur fushatën elektorale në Tiranë, ku kërkoi edhe një mandat tjetër për kryebashkiakun Erion Veliaj, për të përfunduar punët dhe investimet e lëna përgjysëm.

Sipas kreu të qeverisë, Tirana me Erion Veliaj ka hyrë në një fazë transformimi të jashtëzakonshëm dhe në një kohë shumë të shkurtër është kthyer në fuqinë më të madhe të tërheqjes së turistëve.

“Sot prita presidentin e Polonisë dhe më tha kam qenë në 2019 dhe nuk e besoj dot se është i njëjti qytet. E vërteta është se Tirana ka hyrë në shpejtësinë e një transformimi të jashtëzakonshëm, patjetër që ata që shkëputen në kohë e lexojnë më shpejt. E rëndësishme është që për të gjithë Tirana bëhet vendi i mundësive të reja dhe për Shqipërinë bëhet motori i fuqishëm i zhvillimit të një ekonomie të re.

Sot Tirana është fuqia më e madhe tërheqëse e turistëve, që do të thotë më shumë ekonomi, më shumë të ardhura. Numri i hoteleve në Tiranë është mbresëlënës. Fuqia më e madhe tërheqëse e turistëve në Tiranë nuk janë hotelet, por apartamentet. Dhe janë mijëra apartamente që shërbejnë për të mikpritur turistë dhe familjet fitojnë të ardhura që kurrë nuk i kishin imagjinuar. Kjo shifër nuk është pjesë e ekonomisë të formalizuar sepse nuk duam të godasim këto të ardhura, pasi shumë familje do të futeshin në ngarkesë fiskale. Ne na duhet ta kthejmë Shqipërinë në një destinacion turistik në të 4 anët dhe Tirana është qendra e gravitetit”, u shpreh Edi Rama.

Për kryeministrin, kjo fushatë ka qenë ndër më të lehtat për Partinë Socialiste dhe kjo sepse tij kanë folur punët dhe projektet e realizuara gjatë këtyre viteve, që tashmë janë të prekshme nga çdo qytetar.

“Ka qenë një përpjekje e jashtëzakonshme, ndërkohë që sot Tirana ka ende rrugë për të bërë, por e ardhmja nuk është më një pikëpyetje, por përballë nesh dhe gjithnjë e më afër. Mua më vjen mirë që në këtë fushatë, e kemi pasur pasqyrën e punëve kudo që kemi shkuar dhe punët, ndryshimet e prekshme na kanë ndihmuar që fjalët të mos jenë siç ishin në fillim, por të jenë të mbështetura në realitetin e jetës së përditshme. Ka filluar që të bëhet gjithnjë e më një jetë që njerëzit shohin shpresë, përtej pengesave shohin mundësi”, shtoi Rama.

Numri një i socialistëve nuk harroi dhe një thirrje drejtuar votuesve të djathtë që të mendojnë mirë në 14 maj dhe të mos zgjedhin personazhe të bllokuara nga Perëndimi dhe Shtetet e Bashkuara si të padëshirueshëm.

“Të djathtët të kenë kujdes që të mos votojnë për ta që janë problemi i Amerikës dhe Perëndimit. SHBA dhe aleatët tanë që na kanë mbështetur ne dhe vendin tonë, për të qenë në të gjitha pikat e pamendueshme ku kemi arritur, e kanë bërë të ditur që këtë individ që e keni pasur president, kryeministër, ju lutemi shumë mos na e nxirrni përpara syve se na prishet qejfi. Unë i jap një këshillë zgjedhësve të djathtë që nuk janë pjesë e kopeve blegëritëse që lëkurën e tyre nuk e kanë vënë në funksion të Salike Floririt. U them atyre që nuk kanë marrë e as kërkojnë ofiqe që përpara se të vendosin se çfarë do të bëjnë në 14 maj të marrin foton e gjyshes që i ka vuajtur ato që këta i kanë ato me të dëgjuar. Kur të mbarojë votimi aleatët do të shohin me vëmendje se sa shqiptarë nuk po e kuptojnë akoma se çfarë po u themi”, deklaroi kreu i qeverisë.