Shqipëria po “lufton” me zjarrin me 5 vatra aktive që janë regjistruar në vendin tonë, ndonëse situata nuk është aq alarmante sa në shtetin fqinj, Greqi. Duke u bazuar mbi raportimin ditor që ka bërë Ministria e Mbrojtjes, situata paraqitet më problematike në fshatrat Peshtan Plyk, Kraps, Kreshpan të njësisë administrative Frakull.

Nga ana tjetër, për shkak të terrenit shumë të vështirë çka pamundësoi ndërhyrjen me mjete nga terreni, në fshatin Hekal të Mallakastrës është ndërhyrë nga ajri me helikopterin Cougar.

Aktive vijon të jetë zjarri në në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, në bashkinë Vlorë, zjarri në fshatin Buz të Memaliaj, si edhe në malin e Gjallicës të Kukësit.

Për shuarjen e tyre janë angazhuar 144 efektivë të Forcave të Armatosura,13 mjete, 3 zjarrfikëse dhe helikopteri Cougar.

“Situata e zjarreve në vend. 5 vatra aktive zjarri janë evidentuar gjatë ditës së sotme në territorin e vendit. Për shuarjen e tyre janë angazhuar 144 efektivë të Forcave të Armatosura,13 mjete, 3 zjarrfikëse dhe helikopteri Cougar.

Po punohet me intensitet për mbajtjen nën kontroll të vatrave të zjarrit në fshatrat Peshtan Plyk, Kraps,Kreshpan, njësia administrative Frakull. Ndërsa u kërkua ndërhyrja e helikopterit në pyllin me pisha në fshatin Gjorgoz, pasi ndërhyrja me mjete dhe forca nga terreni është e pamundur. Po punohet ndërkaq edhe në një vatër zjarri në fshatin Hekal, bashkia Mallakastër.

Po vijon gjithashtu operacioni për kapsulimin e vatrave në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, në bashkinë Vlorë. Në fshatin Buz, në bashkinë Memaliaj po vijon puna nga terreni për izolimin e vatrës së zjarrit.

Është bërë e munduar shuarja e vatrës së zjarrit në fshatin Skrevan, bashkia Dimal, ku aktualisht ka vetëm prezencë tymi. Situata është nën kontroll dhe zjarri po shkon drejt izolimit të plotë në malin e Gjallicës, njësia administrative Shtiqën, bashkia Kukës”.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes