Ekonomia e vendit do të rritet mesatarisht me 3.9 për qind deri në 2026-n, ndërsa inflacioni do të bjerë në nivelin 3 për qind deri në fund të këtij viti. Janë këto parashikimet optimiste të qeverisë në Programin Buxhetor Afatmesëm 2024-2026.

Po sa realiste janë këto pritshmëri në kushtet që kriza e çmimeve vijon të ndihet e fortë, ndërsa rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit ishte vetëm 2.72 për qind?

“E kemi theksuar edhe më parë që ekonomia shqiptare është sezonale dhe është problematike pasi nuk arrin të ofrojë një rritje afatgjatë. Fut këtu largimin e burimeve njerëzore, kjo sjell probleme afatgjata.”

Mikel Qafa, pedagog ekonomie

Në dokumentin e publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare qeveria angazhohet që për tre vitet e ardhshme të shtojë vëmendjen veçanërisht në drejtim të arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, truizmit dhe sipërmarrjes.

“Një ndër fushat kryesore që Shqipëria duhet të angazhohet, bazuar edhe te angazhimet e Bashkimit Europian dhe Bankës Botërore, veç bujqësisë duhet mbështetur edhe digjitalizimi. Vetëm kështu mund të kemi një ekonomi 12-mujore dhe jo më vetëm 3 apo 4 mujore.”

Për ekspertët vëmendje të veçantë në këtë periudhë duhet të marrë edhe mbrojtja sociale dhe vlerësimi i krahut të punës.

“Siç e ka thënë edhe Bashkimi Europian duhen stimuj mbi atë që individi ofron< Brenda vitit 2024 duhet edhe një tjetër indeksim për popullsinë.”

Bazuar Programin Buxhetor Afatmesëm, për tre vitet e ardhshëm, qeveria pret që ekonomia e vendit të bazohet kryesisht te kërkesa e brendshme, konsumi dhe investimet.