Gjykata e Posaçme cakton datën 25 shtator për shpalljen e vendimit përfundimtar ndaj të akuzuarve për inceneratorin e Fierit.

Për këtë çështje, Prokuroria Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar akuzon për shpërdorim detyre dhe korrupsion ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputetin socialist Alqi Bllako dhe shumë zyrtarë të tjerë.

Prokuroria e Posaçme, kërkoi dënim me 10 vite burg për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka. Këtë radhë, ish-zyrtari i lartë u kërkua të fajësohet për akuzat e “korrupsionit”, “shpërdorimit të detyrës” e “pastrimit të parave” në lidhje me inceneratorin e Fierit. Në pretencën e lexuar në gjykatë, SPAK kërkoi fajësi edhe për 14 të pandehurit e tjerë të së njëjtës dosjeje, mes të cilëve edhe ish-deputeti socialist, Alqi Bllako dhe biznesmeni i inceneratorëve, Klodian Zoto, në dënime që varionin nga 3 deri në 12 vjet heqje lirie.

Pak ditë më parë, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, kërkoi pafajësi dhe drejtësi të pandikuar në Gjykatën e Posaçme për akuzat kundër tij për inceneratorin e Fierit. Koka i konsideroi akuzat absurde dhe të bazuara në mendime personale të ish-drejtuesve të LSI.

Më herët ish-deputeti i PS-së, Alqi Bllako, i cili është marrë i pandehur nga drejtësia në dosjen e inceneratorit të Fierit ka hedhur akuza në drejtim të SPAK. Ai e konsideroi një goditje të orkestruar dhe me agjendë mosndryshimin e akuzave ndaj tij nga Prokuroria e Posaçme.