Këshilltarët bashkiakë të Kamzës kanë kallëzuar në SPAK kryebashkiakun e tyre, Rakip Sulin. Ata e akuzojnë atë për korrupsion.

Avokatja Adriana Kalaja tha se është dorëzuar në SPAK auditimi i KLSH, ku janë konstatuar, sipas saj, shumë shkelje: “Ne kemi paraqitur mënyrën si njoftohen këshilltarët bashkiakë për të bërë mbledhjet “online”, kjo në kundërshtim me ligjin për vetëqeverisjen vendore, por edhe në kundërshtim me vetë rregulloren e Këshillit Bashkiak. Këshilltarët e opozitës kanë kohë që i kanë kërkuar kryetarit të Bashkisë dhe të Këshillit Bashkiak për t’i vënë në dispozicion një rregullore sesi funksionon Këshilli Bashkiak dhe kjo rregullore, edhe sot që kemi ardhur në SPAK, nuk vihet në dispozicion”.

Kalaja shtoi se raporti i KLSH “ka gjetur mjaft shkelje ligjore dhe vepra penale që lidhen me korrupsionin”.

“Kryesisht, këto vepra penale lidhen me mënyrën si janë investuar shpenzimet e caktuara nga Këshilli Bashkiak i kaluar dhe në lidhje me parashikimet ligjore që i korrespondonte vlerës 3% të strehimit social, ligj i cili është ndryshuar në kundërshtim me Kushtetutën, me një VKM të marrë në 2019, në kohën kur kjo bashki kishte autonomi nga pjesëmarrësit e PS”, u shpreh avokatja Adriana Kalaja.