Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi sot se nuk do të ketë asnjë ndryshim të masave kufizuese që po aplikohen aktualisht.

Manastirliu pohoi se është konfirmuar nga Turqia se mutacionj britanik po gëlon në vendin tonë. Ajo tha se analizat u bënë në laboratorin shtetëror të Ankarasë.

Lidhur me masat kufizuese, Manastirliu tha se nuk ka nevojë të thellohen pasi ka ulje të qëndrueshme të rasteve të reja me Covid-19.

Ajo megjithatë pranoi se ka shumë vdekshmëri dhe rritje shqetësuese të shtrimeve në spitale.

Masat kufizuese që mbeten në fuqi janë:

Shtetrrethim nga ora 20.00 deri 06.00 çdo ditë. Përjashtohen punonjësit e shëndetësisë, policisë, mediave dhe atyre që pajisen me leje në eAlbania.

Edhe të gjitha njësitë tregtare mbyllen për klientët, të hapur lejohen ata që gjatë orarit të ndalim qarkullimit aplikojnë vetëm dërgesa me korrier.

Shkollat e larta do të vazhdojnë të jenë të mbyllura duke aplikuar mësimin online ashtu si dhe pjesa më e madhe e shkollave të mesme.

Mbeten të hapura të gjitha çerdhet, kopshtet, shkollat fillore dhe nëntëvjeçare, private dhe publike.

Këto masa mbeten në fuqi deri më 24 mars 2021. Më 25 mars nis zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.