Pas ministres Ogerta Manastirliu, edhe shefja e ISHP Silva Bino, pohoi se mutacioni i Covid-19 ka depërtuar prej kohësh në Shqipëri.

Pak më parë, në daljen publike të Komitetit, Bino ka thënë se nga analizat e kryera në Ankara është konfirmuar prezenca e variantit të ri dhe në vendin tonë.

“Në Shqipëri janë konfirmuar mutacione të Covid-19. Janë analizuar mostrat që kanë pasur dyshim epidemiologjik”, tha Bino.

“Kanë qenë persona që kanë pasur kontakt me persona ku është evidentuar mutacioni, persona që kanë udhëtuar jashtë dhe kanë ardhur në Shqipëri. Kanë qenë dhe persona që janë riinfektuar”, shtoi Silva Bino.

Bino ndër të tjera ka theksuar se studimet dhe provat e zhvilluara në Britani kanë treguar se vaksina është e përdorshme te të gjitha grupmoshat dhe jo vetëm për personat nën 65 vjeç.

“Vaksina do të përdoret në të gjitha grupmoshat siç përdoret Pfizer, kjo është kthyer edhe nga ato vendet që morën një vendim që të mos vaksinonin persona mbi 65 vjeç për shkak të dhënave të pakta që kishte në dokument. Të dhënat e sotme të publikuara nga Mbretëria e Bashkuar që e ka përdorur këtë vaksinë në të gjitha grupmoshat, tregojnë që ajo është efektive, e sigurt edhe mbi 65 vjeç dhe kjo ka qenë arsyeja që Komitete teknike i kanë tërhequr vendimet e marra”.

Varianti britanik konsiderohet deri 70 për qind më ngjitës dhe më vdekjeprurës se lloji i parë i koronavirusit, që ka qenë prezent prej një viti, në vendin tonë.