Piercing i Lewis Hamilton është kthyer në çështje në fundjavën e Singaporit, në F1, duke i kushtuar shtrenjtë ekipit Mercedes.

Në fund të provave zyrtare, shtatë herë kampioni i botës përfundoi nën hetim për daljen në pistë me piercing, që është i ndaluar nga rregullat e reja të sigurisë. Piloti i Mercedesit, i thirrur nga komisarët e garës, shpjegoi se ishin mjekët që e këshilluan ta mbante, pasi kur e hoqi, pati një infeksion të vogël në hundë.

Arsyetimi ishte i mjaftueshëm për të shmangur gjobën për pilotin, por jo për ekipin, i cili do të duhet të paguajë 25 mijë euro.

Sipas Federatës, në fakt, ekipi Brackley nuk e plotësoi saktë formularin e vetëkontrollit, “self scrutineering” një lloj vetëcertifikimi për konformitetin e asaj që ndodhet brenda makinës, duke lënë jashtë faktin që Lewis kishte vënë një piercing në sesionin e tretë të provave të lira.