I fundit model Boeing 747 ka dalë nga fabrika e kompanisë në Siatëll të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kompania ka njoftuar këtë javë se do të ndalojë prodhimin e modelit të saj ikonik, me të cilin revolucionarizoi tregun tregtar.

Boeing 747 ka një gjatësi prej 76 metrash dhe është i aftë të transportojë 133 tonë. Që nga viti 2017, prodhuesi amerikan nuk ka dorëzuar asnjë 747 të destinuar për transport pasagjerësh. Megjithatë, ai mbetet një nga avionët më të njohur në botë.

E njohur si “Mbretëresha e qiellit”, kjo pajisje përfaqësoi një përparim të madh në avionët komercialë që nga nisja e saj në vitet ‘70, pasi bëri të mundur “demokratizimin” e udhëtimeve transatlantike falë katër motorëve të saj dhe kapacitetit për të transportuar më shumë se 360 ​​pasagjerë.

Për më tepër, madhësia e tij bëri të mundur zbutjen e bllokimeve në disa aeroporte. Por, ajo që ishte një avantazh për Boeing 747 përfundoi duke u bërë edhe problem madhor, pasi ky model avioni, ashtu si Airbus 380, është jopraktik për linjat e sotme ajrore, pasi të gjitha distancat e gjata mund të bëhen me avionë me dy motorë. Sektori i aviacionit ka zgjedhur efikasitetin dhe kursimin e karburantit, diçka që nuk përputhet me karakteristikat e 747, i cili madje është i vjetëruar tashmë edhe për transportin e mallrave.

Të gjitha këto arsye janë ato që e shtynë Boeing të marrë vendimin, në vitin 2020, të pezullojë prodhimin e modeleve të reja nga fundi i vitit 2022. Dhe koha ka ardhur.

Edhe pse prodhuesi amerikan nuk vazhdon të prodhojë këtë model, ai do të vazhdojë të ofrojë mirëmbajtjen e avionit dhe “Mbretëresha” do të vazhdojë të fluturojë edhe për disa vite të tjera.