Sot besimtarët katolikë kremtojnë festën e Pashkës, një ndër momentet më të rëndësishme të besimit që ndjekin dhe urimet në drejtim të tyre nuk kanë munguar as nga krerët e politikës.

Kryeministri Rama ka postuar një foto në rrjetet sociale ku uron të gjithë besimtarët katolikë në Shqipëri për këtë festë.

“Mirë mëngjes dhe me ditën e Ringjalljes së Krishtit, që celebron dashurinë e pafundme dhe sakrificën për njeriun, ju uroj gëzuar Pashkën Katolike”, shkruan Rama.

Ndërkohë, që ish-kryeministri Berisha përveç këtij urimi ka dhe një lutje duke qenë se vendi është pranë zgjedhjeve lokale të 14 majit.

“Të dashur miq, sonte besimtarët katolik shqiptar dhe të të gjithë botës festojnë Pashkën, ditën e ringjalljes të Krishtit Mbret.

Pashka, dita e ringjalljes së Hyijt është për çdo njeri, për të gjithë besimtarët, ditë e besimit të madh tek Zoti, te mirësia dhe gjithëfuqia e tij.

Vetishëm Pashka është ditë e shpresës së pashuar, e frymëzimit të njeriut nga vlerat hyjnore dhe njerëzore dhe një e ardhme më e mirë.

Kjo ditë e bekuar i ka gjetur kësaj radhë Shqipërinë, besimtarët katolik dhe miqtë e tyre të besimeve të tjera para një zgjedhje historike me datën 14 maj.

Duke ju uruar të gjithë besimtarëve katolikë këtë ditë të shenjtë, ju ftoj të dashur miq t’i lutemi ne Zotit që të bekojë Shqipërinë, shqiptarët kudo që janë dhe votën e tyre për rivendosjen e pluralizmit në Shqipëri.

Pashkën tjetër më mirë ta festojmë! Gëzuar”, shkuan Sali Berisha.

Më tej, një urim vjen dhe nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili po ashtu ka zgjedhur rrjetet sociale për të uruar besimtarët katolikë.

“Të gjithë besimtarëve katolikë dhe ungjillorë ju uroj nga zemra, Pashkë të Bardha!  Qofshi të gëzuar pranë familjeve e më të dashurve tuaj. Mesazhi i ringjalljes që kjo festë sjell, uroj të jetë ringjallje dhe e Shqipërisë sonë, në të gjitha aspektet”, shprehet Meta.

Teksa presidenti Begaj shkuan: “Gëzuar Pashkët për të gjithë besimtarët katolikë! Shpresa, dashuria dhe jeta e gëzueshme që frymë e Pashkëve përcjell bekoftë jetën tuaj”.