Sërish tensione janë shënuar në veri të Kosovës, kryesisht në Zveçan dhe Zubin Potok, ku qindra serbë janë mbledhur pranë godinave të komunës për të mos lejuar kryetarët e sapozgjedhur të shkojnë në punë.

Qindra policë janë angazhuar për mbarëvajtjen e sigurisë, teksa është vënë re dhe prania e trupave dhe mjeteve të blinduara të KFOR.

Sipas mediave kosovare, në godinën e komunës në Zveçan, policia ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e njerëzve.

Mes të pranishmëve vihet re dhe kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili ka biseduar dhe me drejtuesit e KFOR në lidhje me situatën.

Ai tha se kërkesa e serbëve është që Kryetari i ri i Komunës, Ilir Peci, të mos hyjë në objektin komunal, si dhe kërkoi nga KFOR-i që Policia e Kosovës t’i tërheqë njësitë speciale nga kjo zonë.

Tensionet nisën disa ditë më parë, pasi në 4 komunat në veri të Kosovës, në zgjedhjet e 23 prillit u zgjodhën katër kryetarë të rinj shqiptarë, pasi zgjedhjet u bojkotuan nga partitë serbe. 4 kryetarët shkuan në zyrë, por kjo u shoqërua me tensione, që përfunduan me 5 policë të plagosur dhe një retorikë të ashpër mes 2 qeverive.