Parlamenti Europian miratoi sot vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim. “Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit [të ministrave të BE-së] dhe asnjë amendament. Prandaj, është miratuar qëndrimi i Këshillit dhe është miratuar akti i propozuar”, tha kryetarja e PE-së, Roberta Metsola.

Një ditë më vonë, më 19 prill, do të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Fletoren Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.

Këshilli i ministrave të BE-së e ka miratuar me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave për Kosovën, muajin e kaluar.

Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, ku bëjnë pjesë 27 shtete. Ky regjim mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

Deri tani, Kosova ishte i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Qeveria e Kosovës: Falë punës në fushën e sundimit të ligjit u zhbllokua procesi

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas miratimit të vendimit final për liberalizimin e vizave duke thënë se ky është një moment kyç i përafrimet të Kosovës me familjen evropiane. Në komunikatën e Qeverisë, thuhet se falë punës në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, u arrit zhbllokimi i këtij procesi.

“Liberalizimi i vizave tashmë është realitet. Ditën e sotme u votua pozitivisht në Parlamentin Evropian dhe vendimi final mbi liberalizimin e vizave. Ai do të nënshkruhet zyrtarisht ditën e nesërme në Strasbourg nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, ku do të jetë prezent dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Sipas Qeverisë, vendimi do të publikohet në gazetën zyrtare dhe hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit dhe sipas këtij vendimi, kosovarët do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen jo më vonë se nga data 1 janar 2024.

“Kosova i kishte plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me kohë, por deri më tani mungonte konsensusi në mesin e vendeve anëtare për avancimin e procesit. Falë punës së Qeverisë sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante. Pas një pritjeje të gjatë, ky është një moment kyç i përafrimit të vendit tonë me familjen evropiane”, thuhet në reagim.